dpshtrr

Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor

Ylli Spahiu: Aplikimi online për leje drejtimi

Ylli Spahiu: Redukton kohën e shërbimit dhe shmang abuzimet Sa i përket sistemit të pikëzimit të lejeve të drejtimit, çdo qytetar do të jetë në gjendje të konsultojë në faqen e DPSHTRR gjendjen e pikëve të lejes së tij. Ndërkohë, për drejtuesit, të cilëve u bëhet gjendja e pikëve zero, janë të detyruar t’i nënshtrohen një testimi të ri për të mundur të fitojnë përsëri të drejtën e drejtimit të mjeteve..

.Foto Intervista

Flet kreu i Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor/ Aplikimi online për leje drejtimi Ylli Spahiu: Redukton kohën e shërbimit dhe shmang abuzimet. Sa i përket sistemit të pikëzimit të lejeve të drejtimit, çdo qytetar do të jetë në gjendje të konsultojë në faqen e DPSHTRR gjendjen e pikëve të lejes së tij. Ndërkohë, për drejtuesit, të cilëve u bëhet gjendja e pikëve zero, janë të detyruar t’i nënshtrohen një testimi të ri për të mundur të fitojnë përsëri të drejtën e drejtimit të mjeteve Nga 1 prilli nis zyrtarisht aplikimi i sistemit të pikëzimit të lejeve të drejtimit të automjeteve. Kreu i Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor, Ylli Spahiu, shpjegojnë një intervistë për ‘Shqiptarja.com’ mënyrën si do funksionojë sistemi i ri dhe si do të ulen apo do të rikuperohen pikët e patentave për drejtuesit e mjeteve. Sipas Spahiut, çdo qytetar do të jetë në gjendje të konsultojë në faqen e DPSHTRR gjendjen e pikëve të lejes së tij, ndërkohë që duhet të kalojnë dy vjet pas asnjë shkelje në mënyrë që në patentë të shtohen apo të rikuperohen dy pikë. Sa për drejtuesit, të cilëve u bëhet gjendja e pikëve zero, janë të detyruar t’i nënshtrohen një testimi të ri për të mundur të fitojnë përsëri të drejtën e drejtimit të mjeteve. Spahiu sqaron gjithashtu edhe lehtësitë e krijuara së fundmi përmes sistemit të ri të aplikimit online për lejen e drejtimit, Sipas tij, ky sistem ka reduktuar në vetëm 20 minuta procedurat e nxjerrjes së lejes apo rinovimin e saj, ndërkohë që ka shmangur totalisht paraqitjen e personave të tjerë në vend të aplikantit gjatë testimit për leje drejtimi. Kreu i DPSHTRR sqaron gjithashtu se nga data 21 mars, në territorin shqiptar nuk do të regjistrohet më asnjë mjet me timonin në krahun e djathtë. Z. Spahiu, si do të funksionojë sistemi i ri pikëzimit të lejeve të drejtimit të automjeteve që pritet të hyjë në fuqi nga 1 prilli i këtij viti? Cilat janë ndryshimet e tij me sistemin e mëparshëm? Sistemi i përdorur deri dje, për aplikimin për leje drejtimi shkaktonte jo pak kokëçarje, si për qytetarët, ashtu dhe për drejtorinë tonë. Së pari, për sa u përket qytetarëve, ndodhte jo rrallë që të plotësoheshin me gabime, ndërkohë që nga aplikimi, deri te marrja në dorë e lejes së drejtimit duheshin nga 15 deri në 20 ditë. Nga ana tjetër, ata formularë na krijonin shumë probleme edhe për shkak të gabimeve dhe procedurave të zgjatura, pa përmendur që bliheshin në Izrael dhe kishin një kosto mjaft të lartë prej 300 mijë eurosh. Me një investim modest arritëm që të shmangnim tërësisht këto kosto, por edhe t’i ofrojmë një shërbim për të qenë qytetarëve, të cilët mund t’i marrin në dorë vetëm një ditë pas aplikimit, ndërkohë që vetë procedura e nxjerrjes së dokumentit është reduktuar në 20 minuta. Kemi shmangur dhe mashtrimet që janë kryer gjatë gjithë këtyre viteve, kur në vend të personit që aplikonte për patentë paraqitej dikush tjetër. Falë sistemit të ri, në momentin që përfundon testi, shfaqen foto e aplikantit si dhe gjurmët e gishtave të tij, duke shmangur tërësisht mundësinë që në vend të tij testimin ta kryejë një person tjetër.

Vlen për të dyja proceset, si për lejet e reja, ashtu dhe rinovimin e atyre ekzistente? Po, praktikisht janë marrë të gjitha masat dhe janë bërë të gjitha rakordimet e mundshme që sistemi me pikë i lejeve të drejtimit të hyjë në fuqi pas 31 marsit. Sa do të jetë totali i pikëve që do të disponojë çdo drejtues mjeti në lejen e tij të drejtimit? Çdo drejtues mjeti, apo çdo person që do të pajiset me leje drejtimi pas 31 marsit do të ketë një total prej 20 pikësh, pra nuk do të bëhen diferencime në bazë të historisë së tyre të deritanishme. Heqja e pikëve do të bëhet nga efektivat e policisë rrugore, të cilët menjëherë do ta pasqyrojnë në bazën tonë të të dhënave. Çdo qytetar, përveçse do të vihet në dijeni nga polici rrugor për sasinë e pikëve që do t’i ulen në bazë të shkeljes që ka kryer, do të mund ta konsultojë edhe gjendjen e pikëve të lejes së tij në faqen tonë zyrtare. Çfarë rezultatesh prisni të arrini në këtë drejtim? Nisur edhe nga përvoja e shteteve të tjera që e aplikojnë këtë sistem, presim që rezultatet të jenë të shpejta e të ndjeshme. Jemi të gjithë dëshmitarë të numrit shumë të lartë të aksidenteve të shkaktuara nga shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor. Ç’masa do të merrni për drejtuesit e mjeteve, të cilët përdorin celularët gjatë udhëtimit? Nuk ka dyshim që para rrezikut për të humbur mundësinë për të drejtuar mjetin çdokush do mendohet dy herë përpara çdo shkeljeje të rregullave. Ndërkohë që aktualisht do të veçoja përdorimin e celularëve gjatë drejtimit si një burim shumë të madh aksidentesh, edhe të rënda. Po punohet mbi këtë pikë dhe shpejt do të kemi masa të ashpra ndaj të gjithë atyre që përdorin telefonat celularë gjatë drejtimit të mjeteve. Si do të veprohet me mjetet me krah të kundërt drejtimi? Është e vërtetë. Prania e tyre ka qenë vazhdimisht problem kur vjen fjala te siguria rrugore. Nga data 21 mars nuk do të lejohet më regjistrimi i asnjë mjeti me timonin në krahun e djathtë në territorin shqiptar. Rikuperimi i pikëve të humbura: Pikët e humbura do të mund të rikuperohen në rastet kur drejtuesit nuk i hiqen më pikë për një periudhë 2 vjeçare. nëse drejtuesi nuk kryen shkelje për ketë hark kohor atij i shtohen dy pikë. Nga ana tjetër, një drejtues që nuk ka kryer asnjë shkelje përfiton gjithashtu dy pikë çdo dy vite, por totali i pikëve për çdo drejtues nuk mund të jetë më i madh se 30. Nga ana tjetër, çdo drejtues mjeti që humbet që të gjitha pikët e patentës, pas periudhës së penalizmit është i detyruar të kryejë një test të ri, pas të cilit i jepen 20 pikë.