dpshtrr

Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor

SQARIM TELEGRAFIK MBI TESTIN TEORIK

Nisur nga një artikull i botuar në një nga gazetat ditore më 26.07.2018 me titull “Testimi teorik për patentat, qumështi që përgjum komisionet dhe autoshkollat” , shkruar si gjithmonë nga specialistë anonimë, sqarojmë si më poshtë:

  1. 1.Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor si institucion shtetëror, është person juridik, publik, jobuxhetor, në varësi të ministrit përgjegjës për transportet, e krijuar me Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr.343, datë.21.07.1999 "Për krijimin e DPSHTRR”.

Si e tillë DPSHTRR ja, është institucion me vetëfinancim, që “jeton“ dhe investon vetëm nga të ardhurat e veta dhe nuk përfiton asgjë nga Askush, qoftë edhe Buxheti i Shtetit, përvecse e shëndosh periodikisht këtë të fundit, në dobi të vendit dhe shtetasve të tij.

  1. 2.Në bazë të ligjit Nr. 8378, datë 22.7.1998, “Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë”, provimet për marrjen së Lejedrejtimit janë publike, transparente dhe të hapura.

Në funksion të kësaj DPSHTRR-ja ka publikuar në faqen e saj zyrtare të internetit, pyetjet teorike me të cilat formulohen testet për Lejedrejtimi. Të njëjtat pyetje gjenden edhe në sistemin kompjuterik që formulon testet për Lejedrejtimi.

Pyetjet që përmban testi nuk varen nga komisioni i provave por gjenerohen automatikisht nga sistemi kompjuterik, si dhe vlerësimi i përgjigjeve që jep kandidati bëhet direkt automatikisht në ekranin e kompjuterit të tij, po nga ky sistem.

  1. 3.Në lidhje me shqetësimin e përmendur, me shembujt se në teste hartohen pyetje ku thuhet: “A lejohet të pijë qumësht në mëngjes drejtuesi i mjetit?” apo “ Po kalove ti shpejtësinë mbi x km, a të hiqet patenta?!”, në databazën tonë nuk ekziston asnjë pyetje me të tillë përmbajtje.

Do të ishte në interesin e publikut që informacioni që jepet nëpërmjet mediave të jetë i saktë dhe jo dezinformues. Informacioni është lehtësisht i verifikueshëm pasi testet ruhen në mënyrë të përhershme në formë elektronike në sistem dhe në formë fizike (i printuar) në dosjen e drejtuesit të mjetit.

DPSHTRR-ja, vëren me shqetësim se në disa artikuj jo profesionalë radhazi, lihet të dyshohet se ato iniciohen nga persona që kërkojnë të dëmtojnë imazhin e punës apo subjekte që u janë dëmtuar interesat e tyre të paligjshme në saj të ndryshimeve rrënjësore, që ne kemi bërë dhe po bëjmë.

Si dhe sa më sipër u sqarua, DPSHTRR-ja lutet të keni dëshirën dhe dashurinë qytetare, që sa herë të jetë e nevojshme për të vërtetën dhe informacionin e saktë, kërkoni dhe do të gjeni bashkëpunimin tonë, pasi ky informacion do ju jepet pa asnjë hezitim administrativ.

Së fundi, DPSHTRR-ja kërkon të bashkëpunojë me individë dhe ekspertë realë dhe jo anonimë pasi është dhe mbetet e bindur se:

  • “nuk dilet për gjah me zagarë të lidhur”
  • “dashuria që ushqehet me dhurata ka dhe do të ketë gjithmonë uri”

 

Më poshtë për nevojat e cdo mendjeje të hapur:

Pyetje që përmbajnë fjalën qumësht në databazën e lejeve të drejtimit A1, A2, B1, B

Tema

Pyetja

Përmbajtja e fjalisë

Fig

Përgjigjia

15

40

Abuzimi me qumështin shkakton shpërqëndrim dhe moskuptim të rrezikut

 

Gabim

18

128

Paneli në figurë sinjalizon mjetet e përshtatura për transportin e qumështit

303

Gabim


Pyetjet sipas temave dhe numrave përkatëse gjenden në web faqen zyrtare të DPSHTRR-së në linkun: 

http://www.dpshtrr.gov.al/component/content/article/62-informacione-ndihmese/174-testimi-teorik-per-lejedrejtimi

 

DPSHTRR

Grupi i Informimit Qytetar