dpshtrr

Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor

Statuti

STATUTI DREJTORISË SË PËRGJITHSHME TË SHËRBIMEVE TË TRANSPORTIT RRUGOR

KAPITULLI I

Forma, Emërtimi, Selia dhe Objekti

Neni 1

Forma Juridike

Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor është institucion shtetëror, me Statusin e personit juridik publik, me vetëfinancim, në varësi të ministrit përgjegjës për punët publike dhe transportet, i krijuar sipas Vendimit nr.343, dt. 21.07.1999 "Për krijimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor" të Këshillit të Ministrave.

Drejtoria e Përgjthshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor, në vijim referuar D.P.SH.T.Rr, gjatë ushtrimit të objektit të veprimtarisë së saj mbështetet në:

 

  • Ligjin nr.8378, dt. 22.07.1998 "Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe aktet nënligjore të Këshillit të Ministrave të dala në bazë dhe zbatim të ligjit;
  • Ligjin nr 9975, dt. 28.07.2008 "Për taksat kombetare", të ndryshuar dhe aktet nënligjore të Këshillit të Ministrave dhe / ose Ministrit të Financave të dala në bazë dhe zbatim të ligjit;
  • Aktet ligjore në fuqi;
  • Aktet nënligjore të Këshillit të Ministrave;
  • Statutin e DPSHTRR, urdhërat dhe udhëzimet e ministrit përgjegjës për punët publike dhe transportet;
  • Marrëveshjet ndërministrore të bashkëpunimit dhe/ ose shkëmbimit të informacionit, ku palë është ministri përgjegjës për punët publike dhe transportet;
  • Vendimet e Këshillit Drejtues të DPSHTRr-së të nxjerra në bazë dhe mbështetje të përgjegjësive të dhëna me statut;
  • Urdhërave, udhëzimeve dhe rregulloreve të brendshme të punës të Drejtorit të Përgjithshëm të DPSHTRr, të nxjerra në bazë dhe mbështetje të përgjegjësive të dhëna / detyrimeve nga akte ligjore / nënligjore në fuqi dhe statut.

Neni 2

Emërtimi dhe Selia

Emërtimi i plotë i këtij institucioni është Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor dhe emërtimi i shkurtuar i saj do të jetë D.P.Sh.T.Rr.

D.P.Sh.T.Rr ka stemën dhe vulën zyrtare të saj.

Në të gjitha aktet dhe dokumentet e dala nga ajo, për të tretët, tregohet emërtimi i plotë, si dhe adresa e selisë së saj.

Selia e DPSHTRR është në Tiranë.

Neni 3

Kohëzgjatja

D.P.Sh.T.Rr. krijohet për të ushtruar veprimtari në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe me këtë Statut, për një afat kohor të pacaktuar.

Neni 4

Objekti

Objekti i veprimtarisë së kësaj Drejtorie është shërbimi ndaj subjekteve fizike dhe juridike, shtetërore dhe private, në veprimtarinë e transportit rrugor për:

- Regjistrimin e mjeteve (pajisjen e tyre me targa dhe leje qarkullimi, regjistrimin e pronarëve te tyre dhe pajisjen me çertificatë pronësie).

- Monitorimin e kualifikimit të drejtuesve të mjeteve rrugore dhe pajisjen e tyre me leje drejtimi.

- Kontrollin teknik të detyrueshëm të mjeteve rrugore.

- Krijimi i regjistrit kombëtar të mjeteve dhe drejtuesve të tyre (transmetimi i menjëhershëm i të dhënave që kërkohen nga organet e përcaktuara me ligj).

- Kryerjen e veprimtarisë së agjentit tatimor, sipas përcaktimeve ligjore.

- Dhënien e lejeve të veprimtarisë të autoshkollave, dëshmitë e taksistit, instruktorëve të praktikës dhe teorisë etj.

- Trajnimin e specializuar në transportin rrugor për pajisjen e aplikantëve me dëshminë e aftësisë profesionale.

- Kontrollin shtetëror të operatorëve të transportit rrugor dhe mbikqyrjen e kualifikuar gjatë zhvillimit të veprimtarisë së tyre, si dhe cdo objekt tjetër veprimtarie të lejuar nga legjislacini në fuqi dhe që nuk bie në kundershtim me aktet ligjore të cituara më sipër dhe me rregullat e përcaktuara në këtë Statut.

KAPITULLI II

KAPITALI THEMELTAR

Neni 5

Kapitali Themeltar

Kapitali themeltar i DPSHTRr përbëhet nga:

a) Kapitali në momentin e krijimit të D.P.Sh.T.Rr. mbi bazën e bilancit të audituar nga ekspertët kontabël në fund të vitit 1999.

b) Fondet.

Neni 6 (shfuqizohet)

KAPITULLI III

DREJTIMI, ADMINISTRIMI DHE KONTROLLI

Seksioni 1

Këshilli Drejtues

Neni 7

Përbërja dhe Emërimi

D.P.Sh.T.Rr. drejtohet nga një Këshill Drejtues, që përbëhet nga 5(pesë) anëtare nga të cilët tre perfaqësues të Ministrisë përgjegjëse për punët publike dhe transportet dhe dy përfaqësues të DPSHTRr, një prej të cilëve është Drejtori I Përgjithshëm.

Anëtarët e Këshillit Drejtues emërohen nga Ministri i Transportit dhe Telekomunikacionit për një periudhë 4-vjeçare dhe mund të riemërohen.

Kryetar i Këshillit Drejtues dhe Zv/Kryetari caktohet nga Ministri përgjegjës për punët publike dhe transportet .

Pagesa e Këshillit Drejtues do të bëhet në analogji me pagesën e Këshillave Mbikqyrës të Shoqërive Anonime.

Në emërimin e anëtarëve të Këshillit Drejtues, respektohen papajtueshmëritë apo ndalesat ligjore.

Funksionet e anëtarëve të Këshillit Drejtues përfundojnë normalisht, në mbarim të mbledhjes së rradhës.

Neni 8

Mbledhja e Këshillit Drejtues

Këshilli Drejtues është organ kolegjial,

Ai ushtron të drejtat e tij të parashikuara në këtë statut.

Këshilli Drejtues mblidhet sa herë është e nevojshme, por si rregull jo më pak se një herë në muaj.

Të drejtën e thirrjes së mbledhjes së Këshillit Drejtues e ka :

  • Kryetari i Këshillit Drejtues ose nënkryetari në mungesë dhe porosi të kryetarit, ose
  • Drejtori I Përgjithshëm I DPSHTRr.

Mënyrat e thirrjes së mbledhjes, caktimi i rendit të ditës dhe shpërndarja e dokumentacionit përcaktohen me rregullore të miratuar me vendim të Këshillit Drejtues.

Neni 9

Vendimet e Këshillit Drejtues

Këshilli Drejtues merr vendim:

A-Për krijimin, shkrirjen, bashkimin ose ndarjen e Drejtorive Rajonale si dhe të sektorëve të shërbimit brenda tyre.

B-Shfuqizohet

C-Për përcaktimin e pagave të punës, dhe shpërblimin suplementar të punonjësve.

D-Për shitjen, blerjen dhe dhënien e marrjen me qera të mjeteve kryesore

E- Shfuqizohet

F-Për rregulloren dhe strukturën e Drejtorive Rajonale të Shërbimit të Transportit Rrugor.

F/1 Shqyrton ecurinë e realizimit të treguesve financiar.

G- Për miratimin e llogarive vjetore dhe të raportit vjetor të veprimtarisë ekonomike e financiare të DPSHTRr.

H-Për hartimin e programit ekonomiko-financiar të vitit pasardhës, si dhe planet afatmesëm dhe afatgjatë të D.P.Sh.T.Rr.

I-Për shqyrtimin e tarifave të shërbimeve dhe hartimin e propozimeve për ndryshim.

I/1Raporton me shkrim Ministrit një herë në 6 muaj për ecurinë e DPSHTRr.

Seksioni 2

Drejtori i Përgjithshëm

Neni 10

Drejtori i Përgjithshëm

Drejtori i Përgjithshëm emërohet nga Kryeministri, me propozimin e Ministrit të Transportit dhe Telekomunikacionit.

Kompetencat e Drejtorit të Përgjithshëm janë :

1. Përfaqëson D.P.Sh.T.Rr, në marrëdhënie me të tretët, me kompetenca të plota, në kufijtë e objektit të saj, me përjashtim të kompetencave që Statuti ia ka caktuar shprehimisht Këshillit Drejtues.

2. Delegon një pjesë të kompetencave të tij tek Zv/Drejtor i Përgjithshëm

3. Administron shpenzimet në bazë të planit të miratuar nga Ministri.

4. Emëron dhe liron nga detyra të gjithë punonjësit e D.P.Sh.T.Rr. dhe të Drejtorive Rajonale, me përjashtim të drejtorave në Drejtorinë e Përgjithshme.

5. Nxjerr urdhëra, udhëzime dhe rregullore në zbatim të akteve ligjore për administrimin dhe drejtimin e D.P.Sh.T.Rr.

6. Vendos për dhënie mase disiplinore për të gjithë punonjësit e sistemit.

7. Raporton me shkrim/ose me gojë sipas kërkesës, përpara Ministrit ose personave të autorizuar prej tij, për veprimtarinë e D.P.Sh.T.Rr.

8. Ndjek dhe kontrollon zbatimin e akteve ligjore dhe nënligjore të veprimtarisë së D.P.Sh.T.Rr. dhe të akteve të nxjerra prej tij.

9. Miraton planet e punës të gjithë punonjësve në varësi të tij.

10. I propozon Ministrit emërimin dhe lirimin nga detyra të zv/drejtorit të përgjithshëm dhe drejtorëve të drejtorive në D.P.Sh.T.Rr.

11. Organizon, drejton dhe merr pjesë në analizat, seminaret dhe takimet për probleme të ndryshme me punonjesit e Drejtorisë së Përgjithshme dhe të Drejtorive Rajonale.

12. Mban përgjegjësi për përgatitjen e materialeve të Këshillit sipas rendit të ditës

13. I propozon Ministrit për miratim :

a-Strukturën , rregulloren dhe organigramën e D.P.Sh.T.Rr si dhe ndryshime në statutin e D.P.Sh.T.Rr.

b-Tarifat për kryerjen e shërbimeve nga DPSHTRr.

c-Programin ekonomiko-financiar të vitit pasardhës.

14. Komandon në detyrë punonjës të drejtorisë për pozicione të lira, deri në emërimin e tyre nga organi i emërtesës.

Neni 11

Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm dhe Drejtorët

Zëvendësdrejtori I Përgjithshëm dhe Drejtorët e Drejtorive ne D.P.SH.T.Rr, emërohen dhe lirohen nga detyra nga Ministri përgjegjës për punët publike dhe transportin, me propozim të Drejtorit të Përgjithshëm. Detyrat e tyre përcaktohen në rregulloren e brendshme të D.P.Sh.T.Rr.

Neni 12

Detyrimi për të ruajtur sekretin

Anëtarët e Këshillit Drejtues, Drejtori i Përgjithshëm si dhe të gjithë personat e punësuar në D.P.Sh.T.Rr,  janë të detyruar të ruajnë fshehtësinë e çdo informacioni që marrin gjatë kryerjes së detyrave dhe të mos e përdorin atë për përfitime personale apo për të tretë, si gjatë kohës që janë në funksion, ashtu dhe pas largimit të tyre.

Seksioni 3

Kontrolli i pavarur (eksperti kontabël i autorizuar)

Neni 13

Pasqyrat financiare

Pasqyrat financiare të çdo viti financiar miratohen nga ekspert / ët kontabël i autorizuar, brenda datës 30 maj te vitit pasardhës në përputhje me ligjin nr 9228, datë 29.04.2004 "Për kontabilitetin dhe pasqyrat financiare". Pasqyrat e miratuara depozitohen në Ministrinë përgjegjëse për punët publike dhe transportet, përfshij vërejtjet e ekspertit nëse ka të tilla.

Eksperti kontabël i autorizuar caktohet nga ministri përgjegjës për punët publike dhe transportet, ndërmjet listës të ekspertëve të IEKA brenda datës 5 Prill të çdo viti. D.P.Sh.T.Rr i dorëzon ekspertit për auditim pasqyrat brenda datës 10 prill të çdo viti.

KAPITULLI IV

KONTABILITETI, GJËNDJA FINANCIARE, PËRDORIMI I FITIMIT

Neni 14

Kontabiliteti, inventari, gjendja financiare

Paragrafi i parë shfuqizohet

D.P.Sh.T.Rr. mban kontabilitetin e saj në pajtim me kërkesat e ligjit "Për kontabilitetin".

Në mbyllje të çdo viti financiar, por jo më vonë se 3 (tre) muaj nga data e mbylljes së vitit, D.P.Sh.T.Rr. përgatit bilancin përmbledhës financiar, sipas bilanceve verifikuese të dërguara nga Drejtoritë Rajonale të Shërbimeve të Transportit Rrugor.

Viti financiar, në të cilin përgatiten dhe publikohen gjëndjet financiare të D.P.Sh.T.Rr. fillon më 1 Janar dhe përfundon më 31 Dhjetor.

Neni 15

Rezultati financiar

Rezultati financiar i D.P.Sh.T.Rr. përcaktohet në mbyllje të çdo viti si diferencë midis të ardhurave dhe shpenzimeve, pasi te zbriten amortizimet, provizionet dhe zhvleresimet, te llogaritura mbi normat e parashikuara.

Fitimi neto përcaktohet pasi të zbritet tatimi mbi fitimin i llogaritur në mënyre të përqëndruar për D.P.Sh.T.Rr.

Neni 16

Ndarja e fitimit neto

Fitimi neto shperndahet si vijon:

 

a) Për krijimin e rezervës së kapitalit

b) Për krijimin e rezervës për zhvillim

c) Shfuqizohet

d) Për krijimin e fondit të rezervës së veçantë deri në 5% të fondit të pagave vjetore . Mënyra dhe qëllimi i përdorimit të këtij fondi kryhet në analogji, si në rastet e përmendura në Udhëzimin nr 21 , datë 18.09.2007 “Për zbatimin e Vendimit të Këshillit të Ministrave”, nr 369 datë 13.06.2007 “Për fondin e veçantë në institucionet buxhetore”.

e) Shfuqizohet.

II. Bazuar në performancën e zhvillimit të DPSHTRR , Ministri përgjegjës për punët publike dhe transportet urdhëron derdhjen në buxhetin e shtetit të gjithë fondeve të tepërta të krijuara nga fitimet e viteve të kaluara dhe vitit në vazhdim, të cilat nuk përdoren përveç rezervës ligjore.

KAPITULLI V

DREJTORITË RAJONALE

Neni 17

Statusi i Drejtorive Rajonale

Drejtoritë Rajonale të Shërbimeve të Transportit Rrugor varen nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor.

Drejtoritë Rajonale të Shërbimeve të Transportit Rrugor (D.R.Sh.T.Rr) krijohet në bazë rajoni dhe ka në vartësi sektor dhe zyra, pjesë të D.P.Sh.T.Rr..

D.R.Sh.T.Rr kryen shërbime të përcaktuara në objektin e veprimtarisë, sipas nenit 6 të këtij Statuti.

Neni 18

Drejtimi i D.R.Sh.T.Rr.

Drejtimi dhe administrimi i Drejtorive Rajonale ushtrohet nga Drejtori i saj, i cili përgjigjet për gjithë veprimtarinë e Drejtorisë Rajonale në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi , urdhërat dhe udhëzimet e DPSHTRr dhe dispozitat e këtij statuti

Drejtori i DRSHTRr i propozon Drejtorit të Përgjithshëm emërimin dhe shkarkimin e punonjësve në varësi të tij si dhe masat disiplinore.

Drejtoria Rajonale ka vulen e saj.

Neni 19

Raportimet e DRSHTRr

Drejtoritë Rajonale i dërgojnë DPSHTRr në afatet e përcaktuara dhe sa herë kërkohet, bilancin verifikues me relacionin shoqërues, evidencat statistikore, si dhe çdo informacion tjetër të nevojshëm.

Ajo kryen analiza ekonomike financiare, të plota dhe pjesore dhe informon DPSHTRr për problemet që ka.

Neni 20

Ky Statut hyn në fuqi në datën e miratimit të tij.

Statuti i mëparshëm dhe çdo akt tjetër që bie ndesh me këtë statut shfuqizohen.

MINISTRI

Ndryshimet janë miratuar me shkresën nr. 4703, datë 22.11.2002, në bazë të Urdhërit nr. 80, datë 29.05.2008 i ndyshuar, Urdhërit nr. 42, datë 27.03.2009 të Ministrit përgjegjës për punët publike dhe transportet.

 

pdf-download



Lexoni statutin e DPSHTRR te plote.

Shkarkoni statutin e DPSHTRR .