dpshtrr

Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor

REGJISTRIMI I KANDIDATEVE PER LEJEDREJTIMI

Regjistrimi i personave të interesuar për t’u pajisur me lejedrejtimi bëhet në autoshkolla.  

Para lëshimit të Lejes apo Autorizimit bëhet pagesa përkatëse sipas kategorisë së lejedrejtimit. Pagesa mund të bëhet në një bankë të nivelit të dytë ose pranë zyrave përkatëse të DRSHTRR.

Datë regjistrimi është data e pajisjes me “LEJE” për përgatitjen e njohurive teorike ose “AUTORIZIM” për përgatitjen e aftësive drejtuese e të sjelljes. 

 

Ø Regjistrimi i kandidatit për zhvillimin e kursit të teorisë 

Zyra përkatëse e DRSHTRR-së, pas dorëzimit të dokumenteve nga përfaqësuesi i autoshkollës, miraton regjistrimin e kandidatit në kursin e përgatitjes teorike pasi shqyrton plotësimin e kritereve si më poshtë:

 Për kandidatin

  • të plotësojë kërkesat e moshës minimale dhe maksimale, në varësi të kategorisë së lejedrejtimit siç përcaktohet në Udhëzim dhe në dispozitat e Kodit Rrugor për moshën maksimale;
  • të mos ketë vendim të autoriteteve kompetente, për ndalim pajisje të kandidatit me lejedrejtimi;
  • të jetë i pajisur me kategorinë e duhur të lejedrejtimit që mundëson kalimin në kategorinë e lejedrejtimit që kërkohet siç parashikohet në Lidhjen 2 të Udhëzimi Nr. 682/4, datë 1.4.2017;
  • të mos jetë në proces përgatitje teorike për kategori tjetër;
  • të mos jetë në proçes përgatitje praktike për asnjë kategori tjetër, përveç kategorisë A1, A2 dhe A;
  • të ketë minimalisht një pikë nga gjendja e pikëve si dhe të mos ketë lejedrejtimi të hequr.

Për autoshkollën

  • të ketë licencë të vlefshme për kategorinë që kërkohet;
  • të ketë drejtues teknik me kontratë pune të vlefshme (data e përfundimit të kontratës të jetë më e vonshme se data kur bëhet regjistrimi);
  • të ketë mësues teorie (mësuesi i teorisë mund të jetë njëkohësisht dhe drejtues teknik) si dhe të jetë:

                -  i punësuar me kontratë pune të vlefshme (data e përfundimit të kontratës të jetë më e vonshme se data kur bëhet regjistrimi);

               -   me dëshmi aftësie profesionale, të vlefshme.

Në rast se kontrata e punës përfundon brenda periudhës së zhvillimit të kursit të teorisë, autoshkolla duhet të marrë masat e duhura për mosndërprerje të procesit mësimor. Këto kushte duhet të jenë të vlefshme për çdo ditë përgatitje të kandidatit. 

Për çdo ndryshim, përfaqësuesi ligjor i autoshkollës, duhet të njoftojë me shkrim DRSHTRR-në për marrjen e masave të nevojshme. 

Në përfundim të këtij miratimi DRSHTRR lëshon “LEJE”, model DD/T, të vlefshme për provën e teorisë për 6 muaj nga data e lëshimit të Lejes.  

 

ØRegjistrimi i kandidatit për zhvillimin e kursit të praktikës

  • DRSHTRR lëshon Autorizimin e praktikës së kandidatit, me kërkesë të autoshkollës. Kërkesa mund të bëhet me shkrim ose në rrugë elektronike.
  • Autorizimi lëshohet pasi shqyrtohet plotësimi i kritereve si më poshtë: 

Për kandidatin

  • të ketë teori të vlefshme ose të ketë dorëzuar dokumentet e nevojshme;
  • të plotësojë kërkesat e moshës minimale dhe maksimale, në varësi të kategorisë së lejedrejtimit siç përcaktohet  në Udhëzim dhe në dispozitat e Kodit Rrugor për moshën maksimale;
  • të mos ketë vendim të autoriteteve kompetente, për ndalim pajisje  të kandidatit me lejedrejtimi;
  • të jetë i pajisur me lejedrejtimin e duhur që mundëson kalimin në kategorinë e lejedrejtimit që kërkohet;
  • të mos jetë në proces përgatitje praktike për kategori tjetër;
  • të ketë minimalisht një pikë nga gjendja e pikëve si dhe të mos ketë lejedrejtimi të hequr.

Për autoshkollën

  • të ketë licencë të vlefshme për kategorinë që kërkohet;
  • të ketë drejtues teknik me kontratë pune të vlefshme (data e përfundimit të kontratës të jetë më e vonshme se data kur bëhet regjistrimi);
  • të ketë instruktor praktike:

-          i punësuar me kontratë pune të vlefshme;

-          me dëshmi të vlefshme si “instruktor praktike” për kategorinë përkatëse;

-          me lejedrejtimi të vlefshme për kategorinë përkatëse;

-          me jo më shumë se 12 kandidatë në ditë;

-          me autorizim për ushtrim praktike për autoshkollën.  

 

Data e përfundimit të vlefshmërisë të këtyre dokumenteve të jetë më e vonshme se data kur bëhet regjistrimi në praktikë.

Instruktori i praktikës duhet të jetë jo më i madh se 65 vjeç dhe jo më i vogël se 30 vjeç i pajisur me lejedrejtimi të vlefshme për të njëjtën kategori mjeti, të marrë të paktën prej 10 vjetësh, ose lejdrejtimi të vlefshme për një kategori më të lartë.

Një instruktor praktike mund të përdorë çdo mjet të autoshkollës, sipas kategorisë përkatëse që disponon instruktori, por nuk mund të punojë në dy autoshkolla të ndryshme njëkohësisht.

  • të ketë një mjet praktike të kategorisë përkatëse:

    me autorizim të vlefshëm si mjet autoshkolle i kategorisë përkatëse;

    me siguracion të vlefshëm;

    me kontroll teknik të vlefshëm.

Me një mjet autoshkollë nuk mund të ushtrohen në praktikë më shumë se 12 kandidatë në ditë. Me kërkesë të drejtuesit teknik të autoshkollës, DRSHTRR miraton ndryshimin e instruktorit të praktikës apo të mjetit me të cilin përgatitet kandidati, me kusht që të plotësohen kërkesat për instruktor praktike dhe të ketë mjet praktike të kategorisë përkatëse. 

Këto kushte duhet të jenë të vlefshme për çdo ditë përgatitje të kandidatit. 

Autoshkolla duhet të ketë të paktën një mjet për çdo kategori lejedrejtimi për të cilat është licencuar.

Në rast se vlefshmëria e ndonjë prej dokumentave të mësipërm përfundon brenda periudhës së zhvillimit të kursit të praktikës, autoshkolla duhet të marrë masat e duhura për mosndërprerje të procesit mësimor.

Me përfundimin e regjistrimit të kandidatit në praktikë, DRSHTRR lëshon Autorizimin përkatës, model DD/P.

Autorizimet DL/P të miratuara nga DPSHTRR janë:  

           

-          model DD/P (A1, A2, A) për lejedrejtimi të kategorisë A1, A2, A;

-          model DD/P (B1, B, B96, BE) për lejedrejtimi të kategorisë B1, B, BE;

-          model DD/P (C1, C1E, C, CE) për lejedrejtimi të kategorisë C1, CIE, C, CE;

-          model DD/P (D1, D1E, D, DE)për lejedrejtimi të kategorisë D1, D1E, D, DE. 

          

ØRegjistrimi i kandidatëve me nënshtetësi të huaj

  • Të gjithë personat e interesuar, që nuk janë shtetas shqiptarë, mund të pajisen me lejedrejtimi të mjetit, pasi të paraqesin dokumentat e përcaktuara në nenin 311 të VKM Nr 153, datë 07.04.2000, të ndryshuar.
  • Rregullat e përgatitjes dhe të provave për të marrë lejedrejtimi mjeti për këta persona janë të njëjta si për  shtetasit shqiptarë.
  • Në provën e kontrollit të njohurive teorike dhe në provën e verifikimit të aftësive drejtuese e të sjelljes, për pajisje me lejedrejtimi mjeti, personi i interesuar ka të drejtë të  marrë dhe përkthyes të licensuar ose me diplomën përkatëse. Në rast se testi teorik zhvillohet në gjuhë të huaj nuk duhet përkthyes.


-