dpshtrr

Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor

PROCEDURA PËR MARRJEN E LEJEDREJTIMIT TË KATEGORISË AM

 

Mosha minimale për regjistrimin e personit të interesuar dhe aftësia e tij për të drejtuar mjete, në funksion të kategorisë së lejedrejtimit, jepen në tabelën e mëposhtme. 

Lejedrejtimi

Aftësia për të drejtuar

 

Kategoria AM

Mosha minimale

16 vjeç

 

ciklomotorë me dy rrota, kategoria L1, projektuar me shpejtësi maksimale më të madhe se 25 km/orë dhe jo me shumë se 45 km/orë:

 -  me cilindratë më të vogël ose të barabartë me 50 cm³ nëse është me djegie të brendshme;

-  me fuqi nominale të vazhduar më të vogël apo të barabartë me 4 kw për motorët elektrikë.

• mjete me tri rrota, kategoria L2, projektuar me shpejtësi maksimale më të madhe se 25 km/orë dhe jo më shumë se 45 km/orë:

-  me motor me cilindratë më të vogël ose të barabartë me 50 cm³ nëse është me ndezje të komanduar, ose me fuqi maksimale më të vogël apo të barabartë me 4 kw për motorët e tjerë me djegie të brendshme;

-  me fuqi nominale të vazhduar më të vogël apo të barabartë me 4 kw për motorët elektrikë.

• mjete të lehta me katër rrota, kategoria L6, me masën bosh më të vogël ose të barabartë me 350 kg, përjashtuar masën e baterive për mjetet elektrike, projektuar me shpejtësi maksimale më të madhe se 25 km/orë dhe jo më shumë se 45 km/orë:

-  me cilindratë më të vogël ose të barabartë me 50 cm³ për motorët me ndezje të komanduar, ose me fuqi maksimale më të vogël apo të barabartë me 4 kw për motorët e tjerë me djegie të brendshme;

-  me fuqi nominale të vazhduar më të vogël apo të barabartë me 4 kw për motorët elektrikë.

      

Për marrjen e lejedrejtimi të kategorisë AM, personi i interesuar duhet të kalojë vetëm provën e njohurive teorike.  

Personi që ka mbushur moshën 16 vjeç mund të regjistrohet në DRSHTRR që ka në juridiksion vendbanimin e tij duke plotësuar kërkesën për kryerje shërbimi, model D/KSH, dhe dorëzon:

  • dokument identifikimi

Për shtetasit shqiptar, fotokopjen e kartës së identitetit që vërtetohet me origjinalin nga nëpunësi i pranimit.

Për shtetasit e huaj, fotokopje pasaporte e përkthyer dhe noterizuar (rasti kur pasaporta nuk është gjuhë zyrtare e BE) dhe fotokopje leje qëndrimi, të vlefshme, të noterizuar.

  • fotografi me ngjyra, 2 (dy) copë, me përmasa 4 x 5 cm, njëra nga të cilat të jetë e nënshkruar nga personi (emër + mbiemër), në pjesën e mbrapme;
  • certifikatë mjekësore me fotografi, me datë jo më të hershme se 6 muaj nga data e regjistrimit.

Me dorëzimin e këtyre dokumenteve, nëpunësi i pranimit bën verifikimet përkatëse: 

  •      personi duhet të jetë mbi 16 vjeç;
  •      të mos ketë vendim të autoriteteve kompetente për ndalim pajisje me LD;
  •      të mos jetë në proces përgatitje për kategori tjetër. DRSHTRR pajis kandidatin me "LEJE", model DD/TAM, për regjistrim dhe për prova teorie. Tarifa e shërbimit është 1000 lekë(500 - regjistrimi dhe 500 - provimi i teorisë). 

Vlefshmëria e LEJES është 6 muaj nga data e lëshimit.  

Kandidati merr pjesë në provimin e teorisë pranë komisionit të marrjes në prova, në DRSHTRR duke paraqitur “LEJE-en”, dokumentin e identifikimit dhe Dëshminë për kryerjen e kursit të ndihmës së shpejtë të lëshuar nga Kryqi i Kuq Shqiptar, ose fotokopjen e noterizuar të saj, të vlefshme. 

Para hyrjes në provim, kandidati fotografohet dhe bën nënshkrimin elektronik (emër + mbiemër). Fotografia dhe nënshkrimi i kandidatit pasqyrohen në kokën e fletës së testimit. 

Provimi është i informatizuar (me kompjuter), numri i pyetjeve - 30, koha maksimale - 30 minuta, numri i gabimeve të lejuara - 3.      

Kandidati ka të drejtë të japë deri në 5 herë provimin e teorisë, jo më afër se 5 ditë kalendarike nga njëri provim në tjetrin. Për çdo riprovim bëhet pagesë prej 400 lekë. 

Në rast se kandidati nuk e fiton provimin me 5 prova dhe/ose brenda afatit të vlefshmërisë së “LEJE-s”, mund të regjistrohet sërish por, pas përfundimit të afatit të vlefshmërisë së “LEJE-s”.   

Kandidati fitues i provimit të teorisë:

  • bën pagesën e tarifës së pajisjes me lejedrejtimi (taksa e buxhetit të shtetit) prej 3000 lekë si dhe pagesën e tarifës së shërbimit për lejedrejtimin prej 3500 lekë;
  • fotografohet, bën nënshkrimin elektronik dhe konfirmon personin që do të tërheq lejedrejtimin;
  • kur konfirmon se lejedrejtimin e tij do ta tërheq një person tjetër, dorëzon fotokopjen e kartës së identitetit të këtij personi. 

Lejedrejtimi tërhiqet pranë DRSHTRR brenda 7 ditëve.   

V.O. Shtetasit e huaj kanë të drejtë që në provën e kontrollit të njohurive teorike të  marrin përkthyes të licensuar ose të pajisur me diplomën përkatëse.