dpshtrr

Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor

PROCEDURA PËR MARRJEN E LEJEDREJTIMIT TË KATEGORISË A1, A2, B1, B

Mosha minimale për regjistrimin e personit të interesuar dhe aftësia e tij për të drejtuar mjete, në funksion të kategorisë së lejedrejtimit, jepen në tabelën e mëposhtme. 

Lejedrejtimi

Aftësia për të drejtuar

 

Kategoria A1

Mosha minimale

18 vjeç

• motor pa kosh (kategoria L3) me cilindratë deri 125 cm³ dhe fuqi max deri 11 kw, me raport fuqi/peshë jo më shumë se 0.1 kw/kg;

• motor me kosh (Kategoria L4) me cilindratë deri 125 cm³ dhe fuqi max deri 11 kw, me raport fuqi/peshë jo më shumë se 0.1 kw/kg;

• tricikël (motomjete me tre rrota, simetrike ndaj aksit gjatësor, kategoria L5), me fuqi deri 15 kw;

• makina bujqësore dhe komplekset e mjeteve bujqësore që nuk i kalojnë kufijtë e përcaktuar në nenin 53, pika 4 e Kodit Rrugor (gjerësia: 1.6 m, gjatësia: 4m, lartësia 2.5 m, masa maksimale e autorizuar me ngarkesë: 2.5 ton, shpejtësia: 40 km/orë).

Kategoria A2

Mosha minimale

18 vjeç

• motor pa kosh (Kategoria L3), me fuqi maksimale deri 35 kw, me raport fuqi/peshë jo më shumë se 0.2 kw/kg dhe që nuk rrjedh nga një mjet me më shumë se dyfishi i fuqisë së tij;

• motor me kosh (Kategoria L4) me fuqi maksimale deri 35 kw, me raport fuqi/peshë jo më shumë se 0.2 kw/kg dhe që nuk rrjedh nga një mjet me më shumë se dyfishi i fuqisë së tij.

Kategoria B1

Mosha minimale

18 vjeç

 

• motomjete me katër rrota, të ndryshëm nga ata AM, masa pa ngarkesë e të cilave është më e vogël ose e barabartë me 400 kg ose 550 kg për mjetet e destinuara për transport mallrash (kategoria L7), përjashtuar masën e baterive për mjetet elektrike, të cilat fuqinë maksimale neto të motorit e kanë më të ulët ose të barabartë me 15 kw;

• mjete të tjera që konsiderohen motomjete me tre rrota simetrike ndaj aksit gjatësor (të kategorisë L5).

Kategoria B

Mosha minimale

18 vjeç

• automjete me masë maksimale të autorizuar jo më të madhe se 3500 kg dhe me jo më shumë se 8 ndenjëse, përjashtuar ndenjësen e drejtuesit të mjetit. Mjetet e kësaj kategorie mund të tërheqin një rimorkio të lehtë ose një gjysmërimorkio që nuk e kalon masën maksimale të autorizuar 750 kg;

• motomjete me tre rrota simetrike ndaj aksit gjatësor me fuqi më të madhe se 15 kw;

• motomjete të kategorisë A1 me kusht që mbajtësi i lejedrejtimit të jetë të paktën 21 vjeç;

•  makinat bujqësore;

•  makinat teknologjike. 


Procedura për marrjen e lejedrejtimit të kategorisë A1, A2, B1 ose B është e njejtë. 

Kandidati paraqitet në një autoshkollë të licencuar (pavarësisht vendbanimit) për kategorinë e lejedrejtimit që kërkon dhe dorëzon: 

  • Dokument identifikimi

Për shtetasit shqiptar, fotokopjen e kartës së identitetit që vërtetohet me origjinalin nga nëpunësi i pranimit.Për shtetasit e huaj, fotokopje pasaporte e përkthyer dhe noterizuar (rasti kur pasaporta nuk është gjuhë zyrtare e BE) dhe fotokopje leje qëndrimi, të vlefshme, të noterizuar. Për personelin e huaj të Ambasadave ose të Organizatave Ndërkombëtare që gëzojnë statusin diplomatik duhet fotokopja e pasaportës diplomatike, e vlefshme, fotokopje të kartës diplomatike e lëshuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe kërkesa për regjistrimin e shtetasit për kryerje shërbimi, e lëshuar nga Ambasada ose nga Organizata Ndërkombëtare. 

  • fotografi me ngjyra, 2 (dy) copë, me përmasa 4 x 5 cm, njëra nga të cilat të jetë e nënshkruar nga personi (emër + mbiemër) në pjesën e mbrapme;
  • certifikatë mjekësore me fotografi. Në datën e regjistrimit në DRSHTRR, certifikata duhet të jetë brenda afatit të vlefshmërisë 6 muaj nga data e lëshimit.Ndërmjet autoshkollës dhe kandidatit lidhet një kontratë, ku përcaktohen të drejtat dhe detyrat e secilës palë. Kontrata është pjesë e dokumentacionit që ruhet në autoshkollë. 

Përfaqësuesi i autoshkollës plotëson kërkesën për regjistrim, model D/KR,dhe dorëzon dokumentet e kandidatit. Nëpunësi i pranimit i DRSHTRR bën verifikimet përkatëse:   

  •           kandidati duhet të plotësojë kërkesat e moshës;
  •           të mos ketë vendim të autoriteteve kompetente për ndalim pajisje me LD;
  •    të mos jetë në proces përgatitje për lejedrejtimi të një kategorie tjetër. DRSHTRR pajis kandidatin me “LEJE”, model DD/T, për regjistrim dhe për prova teorie. Tarifa e shërbimit është 1000 lekë (500 - regjistrimi dhe 500 - provimi i teorisë).Vlefshmëria e LEJES është 6 muaj nga data e lëshimit. 

Kandidati merr njohuritë teorike në autoshkollë për kategorinë e kërkuar dhe sipas programit. Orët e mësimit dhe koha e nevojshme për përgatitjen e njohurive teorike është 36 orë, në jo më pak se 15 ditë;  

Kandidati merr pjesë në provimin e teorisë pranë komisionit të marrjes në prova, në DRSHTRR duke paraqitur “LEJE-en”, dokumentin e identifikimit dhe Dëshminë për kryerjen e kursit të ndihmës së shpejtë të lëshuar nga Kryqi i Kuq Shqiptar ose fotokopjen e noterizuar të saj, të vlefshme (vetëm për rastet kur kandidati hyn në prova teorie për herë të parë). 

Para hyrjes në provim, kandidati fotografohet dhe bën nënshkrimin elektronik (emër + mbiemër). Fotografia dhe nënshkrimi i kandidatit pasqyrohen në kokën e fletës së testimit. Provimi është i informatizuar (me kompjuter), numri i pyetjeve - 40, koha maksimale - 40 minuta, numri i gabimeve të lejuara – 4. Kandidati ka të drejtë të japë deri në 5 herë provimin e teorisë, jo më afër se 5 ditë kalendarike nga njëri provim në tjetrin. Për çdo riprovim bëhet pagesë prej 400 lekë. 

Në rast se kandidati nuk e fiton provimin me 5 prova dhe/ose brenda afatit të vlefshmërisë së “LEJE-s”, mund të regjistrohet sërish në autoshkollë por, vetëm pas përfundimit të afatit të vlefshmërisë së “LEJE-s”.

Nëpunësi i pranimit i DRSHTRR pranon kërkesën nga përfaqësuesi i autoshkollës, për regjistrimin në praktikë të kandidatit fitues të provimit të teorisë dhe bën verifikimet përkatëse:

  •        kandidati duhet të plotësojë kërkesat e moshës;
  •        të mos ketë vendim të autoriteteve kompetente për ndalim pajisje me LD;
  •      të mos jetë në proces përgatitje për lejedrejtimi të një kategorie tjetër. DRSHTRR pajis kandidatin me “AUTORIZIM”, model DD/P, për kursin e ushtrimit të drejtimit të mjetit. Tarifa e shërbimit është 1200 lekë (200 - regjistrimi dhe 1000 - provimi i praktikës).

Autorizimi lëshohet jo më vonë se 6 muaj nga data e fitimit të provës së teorisë dhe e ka afatin e vlefshmërisë 6 muaj.

Në rast se kandidati fitues i provimit të teorisë nuk pajiset me Autorizimin e praktikës brenda 6 muajve nga data e fitimit të provimit të teorisë, ai mund të rifutet në provën e kontrollit të njohurive teorike pa e përsëritur kursin e teorisë në autoshkollë. Në këtë rast, kandidati bën pagesën e tarifës së shërbimit dhe provimit prej 1500 lekë dhe pajiset me “LEJE”, model DD/TRP.    

Kandidati bën përgatitjen praktike për kategorinë e kërkuar në autoshkollë. Seancat dhe ditët për përgatitjen praktike janë si në tabelë. Seanca ditore është jo më pak se 40 minuta.     

LEJEDREJTIMI  

KËRKOHET

 

Seanca

 

Ditë

Kategoria A1

12

12

Kategoria A2

12

12

Kategoria B1

12

12

Kategoria B

25

25

 

 

 

 

  

 

 

 

 Kandidati merr pjesë në provimin e praktikës pranë komisionit të marrjes në prova në DRSHTRR duke paraqitur “AUTORIZIMIN” e praktikës dhe dokumentin e identifikimit, të vlefshme. 

Kandidati ka të drejtë të japë deri në 5 herë provimin e praktikës, jo më afër se 5 ditë kalendarike nga njëri provim në tjetrin. Për çdo riprovim bëhet pagesë prej 500 lekë. Në rast se kandidati nuk e fiton provimin me 5 prova ose brenda afatit të vlefshmërisë së autorizimit të praktikës atëherë, ai mund të rifutet në provimin e teorisë pa e përsëritur kursin e teorisë në autoshkollë, vetëm pas përfundimit të afatit të vlefshmërisë së autorizimit të praktikës.

 Kandidati fitues i provimit të praktikës:

  • bën pagesën e tarifës së pajisjes me lejedrejtimi (taksa e buxhetit të shtetit) prej:

3000 lekë për A1 ose A2;

4500 lekë për B1 ose B,

si dhe, pagesën e tarifës së shërbimit për lejedrejtimin prej 3500 lekë; 

  • kur vendbanimi i kandidatit është në juridiksionin e një Drejtorie tjetër Rajonale ai bën edhe pagesën e tarifës së shërbimit për transferimin e dosjes prej 600 lekë.
  • fotografohet, bën nënshkrimin elektronik dhe konfirmon personin që do të tërheq lejedrejtimin;
  • kur konfirmon se lejedrejtimin e tij do ta tërheq një person tjetër, dorëzon fotokopjen e kartës së identitetit të këtij personi. Lejedrejtimi tërhiqet pranë DRSHTRR brenda 7 ditëve.          

V.O. Shtetasit e huaj kanë të drejtë, që në provën e kontrollit të njohurive teorike dhe në provën e verifikimit të aftësive drejtuese e të sjelljes, të  marrin përkthyes të licensuar ose të pajisur me diplomën përkatëse.