dpshtrr

Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor

PROCEDURAT PËR MARRJEN E CERTIFIKATAVE MJEKËSORE

Për marrjen ose rinovimin e lejedrejtimit, personi i interesuar për drejtues mjeti duhet t’i nënshtrohet kontrolleve mjekësore dhe të pajiset me certifikatat e nevojshme.

Personi i interesuar drejtohet te mjeku i familjes. 

Mjeku i familjes plotëson certifikatën anamneze, model IV.4.

Kur mjeku i familjes evidenton që personi nuk ka sëmundje invaliditeti dhe/apo nuk është përdorues i pijeve alkoolike, drogës etj., e orienton atë për kontrolle të mëtejshme mjekësore te mjekët specialistë (për shikimin, dëgjimin dhe reagimin).

Mjekët specialistë lëshojnë certifikatën mjekësore, model IV.5, me fotografi.

Personi i pajisur me certifikatën, model IV.4 dhe atë model IV.5, me gjendje shëndetësore të rregullt, paraqitet në autoshkollë ose DRSHTRR.

Nëse mjeku i familjes apo mjekët specialistë për shikimin, dëgjimin dhe reagimin evidentojnë çrregullime shëndetësore të cilat e bëjnë personin me aftësi të kufizuar shëndetësore ose invalid e drejtojnë atë te Komisioni Mjekësor, me shënimin “Për komision mjekësor”. 

Komisioni mjekësor, i përbërë nga mjeku i familjes, okulisti, ortopedi ose kirurgu dhe neurologu, plotëson certifikatën mjekësore, model IV.6.

Komisioni mjekësor e lëshon këtë certifikatë në tre raste: 

  1. personi është invalidizuar ose ka aftësi të kufizuara shëndetësore të evidentuara nga mjeku i familjes në certifikatën anamneze, model IV.4;
  2. personi është i pajisur nga mjeku specialist me certifikatën mjekësore, model IV.5 për në komisionin mjekësor;
  3. personi është i prekur nga sëmundje ose anomali të sistemit lokomotor (aftësia e gjymtyrëve). Në këtë rast, në përbërje të komisionit mjekësor është edhe një inxhinjer i DRSHTRR-së.

Në përfundim, komisioni mjekësor merr vendim lidhur me pajisen ose jo të personit me lejedrejtimi duke bërë shënimet përkatëse në certifikatë.  

 

DËSHMIA E AFTËSISË PSIKOFIZIKE, model IV.1

  • Për ata që kanë mbushur moshën 65 vjeç dhe kërkojnë të drejtojnë autobusë, kamionë, kamionë me rimorkio, gjysmërimorkiatorë dhe artikularë të tjerë, të caktuar për transport personash. Afati i vlefshmërisë është një vit; 
  • Për ata që kanë kaluar moshën e parashikuar nga legjislacioni për pensionet (mbi 65 vjeç) dhe kanë të drejtë të drejtojnë mjete me peshë bruto, plotësisht të ngarkuar, që kalon 3,5 tonë, kamionë dhe automjete të artikuluara për transportimin e mallrave, totali i të cilave në peshë me ngarkesë të plotë nuk i kalon 20 tonë, si dhe mjete operative. Afati i vlefshmërisë është dy vjet;
  • Për ata që kanë kaluar moshën tetëdhjetë vjeç. Afati i vlefshmërisë është një vit;
  • Për ata për të cilët është bërë kërkesë nga zyrat që lëshojnë lejedrejtimi.
  • Për ata për të cilët, gjatë verifikimeve klinike me instrumente dhe laboratorike, mjekut  i ka lindur dyshimi për përshtatshmërinë dhe sigurinë në drejtimin e mjetit;
  • Për ata që janë me diabet, për të bërë rinovimin apo konfirmimin e lejedrejtimit të kategorive C, D, CE, DE dhe nënkategorive të tyre. Në këtë rast, në komisionin mjekësor duhet të jetë edhe një specialist për diabetin, me qëllim saktësimin e patologjisë specifike, si dhe për dhënien e vendimit përfundimtar. Afati i vlefshmërisë është një vit.