dpshtrr

Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor

PROCEDURA E NJESIMIT (KONVERTIMIT) TË LEJEDREJTIMIT NGA E HUAJ NË SHQIPTARE

 

Njesohen në lejedrejtimi Shqiptare lejedrejtimet e vlefshme, të shtetasve shqiptare apo të huaj, të lëshuara nga shtetet anëtar të Bashkimit Europian, SHBA-ve, Kanadasë dhe vendeve që janë palë në konventat dhe marrëveshje të kombeve të bashkuara në fushën e lejedrejtimit të cilët kanë marrë lejen e banimit në Republikën e Shqipërisë.

Shtetet anëtar të Bashkimit Europian janë Austria, Belgjika, Bullgaria, Kroacia, Republika Çeke, Danimarka, Estonia, Finlanda, Franca, Gjermania, Greqia, Hungaria, Italia, Letonia, Lituania, Luksenburgu, Holanda, Polonia, Portugalia, Qipro, Rumania, Sllovakia, Sllovenia, Spanja, Suedia, Irlanda, Malta, Mbretëria e Bashkuar.

Shtetet që janë pjesë e konventës të trafikut rrugor, e datës 8 Nëntor 1968 janë:

Shqipëria, Armenia, Austria, Azerbajxhani, Bahama, Bahrejni, Bjellorusia, Belgjika, Bosnjë-Hercegovina, Brazili, Bullgaria, Republika e Afrikës Qendrore, Kili, Kosta Rika, Bregu i Fildishtë, Croacia, Kuba, Republika Çeke, Republika Demokratike e Kongos, Danimarka, Ekuadori, Estonia, Finlanda, Franca, Gjeorgjia, Gjermania, Gana, Greqia, Guajana, Selia e Shenjtë, Hungaria, Indonezia, Irani, Izraeli, Italia, Kazakistani, Kenia, Kuvajti, Kirgistani, Letonia, Liberia, Lituania, Luksenburgu, Meksika, Moldavia, Monako, Mongolia, Mali i Zi, Maroku, Holanda, Nigeri, Norvegjia, Pakistani, Peruja, Filipinet, Polonia, Portugalia, Katari, Republika e Koresë, Romania, Federata Ruse, San Marino, Senegali, Serbia, Sejshel, Sllovakia, Sllovenia, Afrika e Jugut, Spanja, Suedia, Zvicra, Taxhikistani, Tajlanda, Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë, Tunezia, Turqia, Turgmenistani, Ukraina, Emiratet e Bashkuara Arabe, Mbretëria e Bashkuar e Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut, Uruguai, Uzbekistani, Venezuela, Vietnami, Zimbabve.

Ø Shtetasi shqiptar ose i huaj, banues në Shqipëri. Aplikimi për njehsim (konvertim) lejedrejtimi, bëhet në DRSHTRR ku ka vendbanimin. Për këtë aplikanti plotëson kërkesën për kryerje shërbimi, model D/KSH dhe dorëzon:

  • fotokopjen e lejedrejtimit të vlefshme, e lëshuar nga shteti përkatës, e përkthyer në gjuhën shqipe dhe e noterizuar;
  • dokument identifikimi

Për shtetasit shqiptar, fotokopjen e kartës së identitetit që vërtetohet me origjinalin nga nëpunësi i pranimit.

Për shtetasit e huaj, fotokopje pasaporte e përkthyer dhe noterizuar (rasti kur pasaporta nuk është gjuhë zyrtare e BE) dhe fotokopje leje qëndrimi, të vlefshme, të noterizuar;

  • certifikatë mjekësore me fotografi, me datë jo më të hershme se 6 muaj nga data e  kërkesës;
  • mandat pagesën për kryerje shërbimi prej 2300 lekë.

Drejtoria Rajonale përcjell dokumentet e aplikantit në DPSHTRR.

DPSHTRR komunikon me palën e huaj për të konfirmuar vërtetësinë e lejedrejtimit që do të njesohet, nëpërmjet Ministrisë së Punëve të Jashme (MPJ) ose, direkt me shtetin me të cilin ka marrëveshje.

DPSHTRR  përcjell në DRSHTR vërtetësinë e lejedrejtimit të ardhur nga shteti i huaj së bashku me dokumentet e aplikantit.

DRSHTRR njofton aplikantin për vazhimin e procedurës.

Aplikanti, 

  • bën pagesën e tarifës së shërbimit për lejedrejtimi (kartoni) prej 3500 lekë;
  • dorëzon lejedrejtimin e huaj;
  • fotografohet, bën nënshkrimin elektronik dhe konfirmon personin që do të tërheq lejedrejtimin;
  • kur konfirmon se lejedrejtimin e tij do ta tërheq një person tjetër dorëzon fotokopjen e kartës së identitetit të këtij personi;

Aplikanti pajiset me kopje përmbledhëse të lejedrejtimit.

Lejedrejtimi shqiptar tërhiqet pranë DRSHTRR brenda 7 ditëve.

Ø Personeli i huaj i Ambasadave ose Organizatave Ndërkombëtare që gëzojnë statusin diplomatik në Shqipëri. Aplikimi për njesim lejedrejtimi bëhet nëpërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme. Bashkëlidhur me shkresën e MPJ ndodhen dokumentet:

  • nota verbale të lëshuar nga Ambasada ose Organizata Ndërkombëtare;
  • fotokopja e kartës së legjitimitetit të lëshuar nga Ministria e Punëve të Jashtme, e legalizuar nga Ambasada ose Organizata Ndërkombëtare, të vlefshme;
  • fotokopja e pasaportës diplomatike, e përkthyer dhe e legalizuar nga Ambasada ose Organizata Ndërkombëtare (rasti kur pasaporta nuk është gjuhë zyrtare e BE);
  • fotokopja e lejedrejtimit e përkthyer dhe e legalizuar nga Ambasada ose nga Organizata Ndërkombetare;
  • certifikata mjekësore me fotografi, e lëshuar nga institucioni shëndetësor i licencuar nga Ministria e Shëndetësisë, me datë jo më të hershme se 6 muaj nga data e lëshimit të shkresës nga Ministria e Punëve të Jashtme

Ministria e Punëve të Jashme i përcjell dokumentet e diplomatit në DPSHTRR. 

Zyra përkatëse e DPSHTRR verifikon dokumentet, i përcjell ato në DRSHTRR dhe njofton diplomatin të paraqitet në DRSHTRR për të aplikuar.

Diplomati,

  • bën pagesën e tarifës së shërbimit për lejedrejtimi prej 3500 lekë;
  • dorëzon lejedrejtimin. Lejedrejtimi kombëtar i diplomatit ruhet në arkivën e DRSHTRR deri në përfundim të mandatit diplomatik;
  • fotografohet, bën nënshkrimin elektronik dhe konfirmon personin që do të tërheq lejedrejtimin;

Diplomati pajiset me kopje përmbledhëse të lejedrejtimit, menjëherë.

Lejedrejtimi tërhiqet pranë DRSHTRR brenda 7 ditëve.

Me mbarimin e mandiatit diplomatik, diplomatit i rikthehet lejedrejtimi origjinal dhe dorëzon lejedrejtimi shqiptare.